Trump dhe kryeministrja daneze në një telefonatë tensionuese për Groenlandën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zhvilluar një telefonatë 45-minutëshe me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, ku ka përsëritur interesin e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës. Sipas raportimeve, biseda u bë e tensionuar kur Frederiksen theksoi se Groenlanda nuk është në shitje. Trump reagoi duke kërcënuar me vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj Danimarkës nëse ajo refuzon të heqë dorë nga territori i saj autonom në Arktik.
Frederiksen ofroi një bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në për bazat ushtarake dhe shfrytëzimin e mineraleve në ishull, por Trump nuk pranoi ofertën, duke kërkuar kontroll të plotë të Groenlandës. Një burim i cituar nga The Times tha:
“Ishte e tmerrshme. Ai ishte shumë i vendosur. Më parë ishte e vështirë ta merrje seriozisht. Por unë mendoj se tani është serioze dhe shumë e rrezikshme.”
Një ish-zyrtar danez shtoi:
“Ishte një bisedë shumë e vështirë. Ai kërcënoi me masa specifike kundër Danimarkës, siç janë tarifa që synojnë të na dëmtojnë vetëm ne.”
Ky ngërç ka thelluar shqetësimet në Evropë, veçanërisht pasi Trump ka kërcënuar më parë me tarifa të rënda për BE-në dhe ka kërkuar rritje të shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët e NATO-s. Interesi i tij për Groenlandën është parë si një përpjekje për të zgjeruar ndikimin strategjik të SHBA-së në Arktik, ku Rusia dhe Kina po zgjerojnë pozicionet e tyre.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende mbi këtë telefonatë. Frederiksen ka deklaruar se e kupton “interesin e madh” të Trump për Groenlandën, por i ka përsëritur atij se ishulli nuk është në shitje.